Secondary Adv

Mbi 127 mijë biznese aktive në fund të 2024, tregtia, shërbimet dhe turizmi dominojnë ekonominë

Bizneset në Shqipëri janë rritur sërish gjatë vitit 2024, me sektorin e tregtisë që vijon të dominojë ekonominë shqiptare, ndërsa turizmi, ndërtimi dhe shërbimet mbështetëse po fitojnë gjithnjë e më shumë terren.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se numri i ndërmarrjeve aktive arriti në 127,634 në vitin 2024, nga 125,736 një vit më parë, ndërsa u hapën 15,521 biznese të reja. Në të njëjtën kohë, edhe numri i ndërmarrjeve të mbyllura u rrit në 975, nga 810 në vitin 2023.

 

Sipas raportit të “Statistikave mbi ngjarjet demografike të ndërmarrjeve 2022-2024”, tregtia me shumicë dhe pakicë vijon të mbajë peshën kryesore në ekonominë shqiptare, duke përfaqësuar 34.8% të totalit të ndërmarrjeve aktive në vend. Pas saj renditet sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 14%, i ndikuar nga zgjerimi i aktivitetit turistik, ndërsa aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike përbëjnë 7.6% të totalit.

 

Raporti nxjerr në pah edhe strukturën e punësimit sipas sektorëve. Tregtia jo vetëm ka numrin më të madh të bizneseve, por edhe punëson pjesën më të madhe të forcës së punës në ndërmarrjet aktive, me 22.3% të totalit të të punësuarve. Industria përpunuese mban vendin e dytë me 14.6%, ndërsa ndërtimi vijon të rrisë ndikimin e tij në ekonomi, duke arritur në 9.5% të punësimit total.

 

Një tjetër tregues që bie në sy është rikthimi i ritmit të hapjes së bizneseve të reja. Pas rënies në vitin 2023, kur u regjistruan 13,346 ndërmarrje të reja, gjatë vitit 2024 numri i tyre u rrit në 15,521, duke kaluar edhe nivelin e vitit 2022.

 

Edhe tek bizneset e reja, sektori i tregtisë vijon të dominojë me 28% të totalit të ndërmarrjeve të krijuara gjatë vitit 2024. Në vend të dytë renditet akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 14.3%, duke reflektuar zgjerimin e investimeve në turizëm dhe gastronomi. Ndërkohë, shërbimet administrative dhe mbështetëse zunë 8.5% të bizneseve të reja.

 

Të dhënat tregojnë gjithashtu se bizneset e reja kanë krijuar më shumë vende pune kryesisht në tregti, akomodim dhe ndërtim. Ndërtimi përbën 11.4% të punësimit në ndërmarrjet e reja, duke reflektuar vazhdimin e bumit të investimeve në pasuri të paluajtshme dhe projekte ndërtimi.

 

Një karakteristikë tjetër e ekonomisë shqiptare mbetet dominimi i bizneseve shumë të vogla. Sipas INSTAT, 50.9% e ndërmarrjeve aktive nuk kanë asnjë të punësuar me pagesë, ndërsa 37.1% kanë vetëm 1 deri në 4 të punësuar. Vetëm 6.3% e ndërmarrjeve në vend kanë 10 ose më shumë të punësuar. Edhe tek bizneset e reja panorama mbetet e ngjashme, ku 56.9% e tyre janë pa të punësuar me pagesë.

 

Raporti tregon gjithashtu se sektori i transportit dhe magazinimit po fiton peshë në ekonominë shqiptare. Pesha e ndërmarrjeve aktive në këtë sektor u rrit në 5.4% në vitin 2024, nga 5% në vitin 2022, ndërsa tek bizneset e reja arriti në 5.9%.

 

Nga ana tjetër, industria përpunuese vijon të humbasë gradualisht peshë në strukturën e bizneseve aktive, duke zbritur në 6.3% të totalit të ndërmarrjeve, ndërsa sektori i informacionit dhe komunikacionit shënoi rënie të peshës tek bizneset e reja, nga 9.4% në vitin 2022 në 6.8% në vitin 2024.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat